Sa të vij tek ti

 

Jam ulur para monitorit,

në zgavellën e Bronxit.

Katërmbëdhjetë vjet shkuan

që kur i mbylle sytë përgjithnjë.

Dhe më le vetëm,

kur kisha aq nevojë për ty.

Dhe ike e dëshpëruar,

e plakur, e drobitur,

kur duhej të ishe e lumtur.

O zot, si më shtrëngon në zemër,

kur mendoj se u bëra shkaku

i pezmit tënd të pasosur.

Dhe kurrë s'më the një fjalë qortimi,

gjithnjë më dhe kurajo.

"Kurajo, mik!" më thoshe

kur shpresat i humbisja

dhe në heshtje psherëtija.

Dhe më tregoje përrallën e "Ofi" -t.

Dhe dilja për të kërkuar "Ofi"-n"

duke e ditur se "Ofi" yt

ish pa mbarim.

Pa mbarim

deri sa i mbylle sytë

atë ditë të ndezur prilli,

kur qielli dhe ajri

dukeshin si të flakaritur.

Dhe ti mbarove në krahët e mi,

më shikoje me sytë e zmadhuar

dhe s'më përgjigjeshe dot.

Dhe të thirra

e të thirra më kot

deri sa ngrive e tëra.

O zot i madh, sa të vij tek ti edhe unë.

Sa të vij dhe të shtrihem tek këmbët e tua

në harrim!

 

 

Bronx, 6 prill l993

 

Back to Top